Çfarë është shëndeti mendor?

Shëndeti mendor është një gjendje, mirëqenieje që i mundëson çdo individi t’i kapërcejë vështirësitë dhe pengesat e jetës si dhe t’i parashikojë ato për të vazhduar rrugën e tij. Ai i përket të gjithëve, edhe pse është i padukshëm. Kujdesi për të, mundëson zgjidhjen e problemeve të përditshme dhe shmangien e sëmundjeve.

Të ndihesh mirë në kokë, do të thotë të jesh në harmoni me vetveten dhe me mjedisin tënd (si për shembull, familja dhe të afërmit). Është gjithashtu e rëndësishme të dini se si ta gjeni një ekuilibër midis asaj që të pëlqen dhe asaj që të nevojitet në jetë.
Shumë faktorë ndikojnë në shëndetin mendor: shëndeti ynë fizik, mjedisi ynë, situata jonë financiare, historia jonë personale, por edhe situata të vështira, si izolimi, diskriminimi ose kushtet e pasigurta të jetës.

Pasi që shëndeti mendor mund të ndryshojë, është e rëndësishme të gjejmë mënyra për tu kujdesur për të. Mund të na bëjnë mirë aktivitet e ndryshme dhe mbështetjet nga njerëzit e tjerë.

Largimi nga shtëpia për të jetuar në një vend të ri ose në një rajon të ri, kjo sjell ndryshime dhe sfida të mëdha e që mund të ndikojnë në shëndetin mendor.

Të mësoni një gjuhë të re, të zbuloni dhe të adaptoheni me një kulturë tjetër dhe zakone të ndryshme, mund të jetë destabilizuese. Në këto momente, është normale të ndiheni më të brishtë dhe të pambrojtur. Prandaj, nuk duhet të hezitoni të flisni për këtë me të afërmit tuaj, bashkatdhetarët tuaj ose të kontaktoni me shoqata mbështetëse. Në disa situata, mund të kërkoni edhe ndihmën e profesionistëve, ashtu siç do të shkonit te mjeku për të kuruar një plagë fizike.

Traumatizmi

Me fjalën traumatizëm kuptojmë pasojat emocionale të dhimbshme që mund të sjellë përjetimi i një situate tepër të rëndë ose të rrezikshme (për shembull : një aksident, një vdekje, një sulm seksual, një katastrofë natyrore ose një luftë). Këto lloj situatash, mund të shkaktojnë një ndjenjë pafuqie, frikë të skajshme dhe tmerr,  sepse, personi vihet në rrezik dhe nuk ka asnjë kontroll mbi këtë situatë.

Është si një plagë e padukshme e shpirtit, e shkaktuar nga ajo që kemi përjetuar në të kaluarën. Traumatizmi është një shenjë që tregon se ajo që është përjetuar, nuk është normale. Nuk është çmenduri, por është një reagim normal i trupit përballë një situate anormale.

Një traumatizëm mund të shkaktojë efekte në shëndetin tonë, si tensione, dhimbje, probleme me gjumin (vështirësi në fjetje, makthe, zgjime të shpeshta gjatë natës), ankth ose depresion (mendime negative, trishtim). Njerëzit e traumatizuar shpesh përjetojnë në mënyrë të përsëritur atë që u ka ndodhur (flashbacks dhe kujtime të përsëritura), ndihen të shkëputur nga emocionet e tyre (si të mpira ose në mjegull) dhe kanë vështirësi në përqendrim. Ata janë vazhdimisht në një gjendje alarmi maksimal, gati për të shmangur përsëritjen e asaj që kanë përjetuar, gjë që e bën jetën të vështirë.

Ne mund të vërejmë gjithashtu shenja të tjera si zemërimi, izolimi, konsumimi i alkoolit ose drogës, faji, mungesa e motivimit, shpresës dhe mosbesimit.

Për t’u shëruar nga një traumatizëm,  është e rëndësishme të kërkoni ndihmë nga një profesionist. Përkrahja nga të tjerët është gjithashtu qenësore. Nuk është aspak turp të kërkoni ndihmë, sepse plagët e mendjes shërohen si ato të trupit, edhe pse mund të marrë pak më shumë kohë. Kujdesi për shëndetin mendor është thelbësor për t’u ndjerë më mirë.

Ekranet

Ekranet dhe interneti janë pjesë e përditshmërisë. Ata janë kudo dhe janë bërë një mjet praktik dhe argëtues si për të vegjlit ashtu edhe për të rriturit. Ekranet mundësojnë të mësojmë, të informohemi, të përgatitemi për punë dhe gjithashtu të komunikojmë me familjen dhe të afërmit tanë. Ato ndihmojnë gjithashtu për kalim të kohës dhe për relaksim. Duke qenë se janë kudo, është e rëndësishme të mësojmë si t’i përdorim në mënyrë të përgjegjshme, në vend që të përpiqemi t’i shmangim ato plotësisht.

Ndonjëherë mund të shohim imazhe tronditëse ose të dhunshme, si ato të luftërave, krimeve ose katastrofave natyrore. Këto përmbajtje kanë ndikim të ndryshëm, varësisht nga individët, prandaj është shumë e nevojshme të sigurohemi që fëmijët të shohin vetëm përmbajtje të përshtatshme për moshën e tyre. Për fëmijët që kanë parë imazhe tronditëse, është e nevojshme t’u ofrojmë shpjegime rreth gjërave që kanë parë, sipas moshës dhe pjekurisë së tyre.

Edhe tek të rriturit, këto imazhe mund të jenë tronditëse. Është e rëndësishme të mund të flasim për to me dikë që i besojmë dhe nëse ndikimi është shumë i fortë, ta zvogëlojmë përdorimin e ekranit.

Një përdorim i tepruar i ekranit mund të ketë efekte negative në shëndetin mendor dhe fizik, siç është, lodhja, rënia e rezultateve shkollore tek fëmijët ose performanca e dobët në punë tek të rriturit, si dhe izolimi social. Ndonjëherë, ekranet përdoren për të ikur nga problemet ose për ta larguar stresin, por kjo mund të shkaktojë edhe më shumë stres ose probleme. Nivelin e stresit mund ta zvogëloni më së miri nëse i favorizoni marrëdhëniet sociale, duke folur për stresin ose për problemet tuaja me dikë që i besoni dhe të praktikoni aktivitet fizik të rregullt. Në çdo rast, është e rëndësishme të mësojmë se si t’i përdorim ekranet në mënyrë të përgjegjshme.

Për t’i ndihmuar fëmijët se si duhen përdorur ekranet, rekomandohet:

  • Të jepni vet shembullin, duke i zbatuar rregullat që bashkarisht i keni përcaktuar.
  • Të interesoheni për atë që bën fëmija ose adoleshenti në Internet.
  • Të bisedoni me ta për atë që shohin dhe ruani një dialog të hapur.
  • Të vendosni rregulla të qarta për kohëzgjatjen e shfrytëzimit të ekranit dhe për sjelljen që duhet të kenë në internet.
  • T’i ftoni ata që të luajnë me lojëra tjera e jo vetëm me ato të ekraneve (lojëra tavoline me familjen ose lojëra jashtë…).
  • Të flisni me ta për rreziqet e mundshme.
  • Të mësojnë ta përdorin internetin në mënyrë të kujdesshme (kontrollimi nga vijnë informatat, për informacionet e rrejshme, etj.). Këtu mund të keni më shumë informata dhe rekomandime për fëmijët dhe adoleshentët. Gjithashtu,  një fletëpalosje mbi përdorimin e ekraneve gjatë fëmijërisë së hershme dhe  një fletushkë mund të jetë e dobishme për nevojat e fëmijëve lidhur me ekranet.

Tek të rriturit, po ashtu është e rëndësishme të jemi të vetëdijshëm për rreziqet e mundshme. Ta ruajmë një ekuilibër të mirë mes përdorimit të ekraneve dhe aktiviteteve të tjera si dhe të diskutojmë me të afërmit tanë nëse disa imazhe mund të kenë qenë tronditëse. Prindërit kanë një rol modeli për fëmijët, prandaj është detyra e tyre t’u tregojnë atyre shembuj të mirë, duke përdorur ekranet në mënyrë të moderuar dhe të menduar mirë.

Familja – Fëmija

Roli i prindit  mund të jetë i vështirë, veçanërisht gjatë disa periudhave siç është adoleshenca, ku marrëdhëniet mund të bëhen më të tensionuara. Këto momente ndryshimi, ndikojnë në gjithë familjen dhe mund të shkaktojnë stres, vetmi ose dyshime mbi rolin e prindit. Është normale ta pyesësh veten dhe të ndihesh i shqetësuar si prind, dhe këto vështirësi, mund të forcohen, kur arrin në një vend të ri, ku mund të ndihesh i izoluar dhe jo i integruar.

Prindërit dhe fëmijët nuk integrohen domosdoshmërisht me të njëjtin ritëm, dhe, kjo mund të jetë destabilizuese: fëmija shkon në shkollë, takohet shpejt me njerëz tjerë dhe krijon një rrjet social, ndërsa prindërit mund të përballen me vështirësi për të krijuar lidhje të ngushta dhe mund të ndihen të vetmuar dhe si të humbur. Kjo situatë mund të shkaktojë tensione dhe moskuptime.

Në këtë kontekst, për t’i ndihmuar dhe përkrahur fëmijët, favorizimi i një komunikimi të mirë dhe këmbimi e mendimeve me kujdes, i ndihmon më mirë. Kur ata ekspozohen ndaj informacioneve stresuese, është e nevojshme të diskutohet dhe t’u lejohet t’i shprehin ndjenjat e tyre. Ruajtja e lidhjes me kulturën e tyre të origjinës ka gjithashtu një rol të rëndësishëm, veçanërisht për adoleshentët që janë në kërkim të identitetit të tyre.

Ajo që mund të kontribuojë në mirëqenien e të gjithëve janë rregullat dhe shprehitë e qarta. Shpjegimi i domethënies së rregullave dhe përurimi i përpjekjeve të fëmijëve kur i respekton ato, krijon një kuadër sigurie, por gjithnjë duke qëndruar fleksibël.

Inkurajimi i të rinjve për të shprehur emocionet e tyre dhe përurim i sukseseve të tyre, forcon besimin e tyre në vetvete. Kalimi i kohës së bashku, dëgjimi dhe bisedimi për vështirësitë që hasin, mund t’i përmirësojë marrëdhëniet familjare. Në ruajtjen e një ekuilibri të mirë mendor, pushimi i përbashkët ndihmon në ruajtjen e afërsisë.

Përkrahja e një fëmije ose adoleshenti në zhvillimin e tij  është e rëndësishme për mirëqenien e tij. Është e nevojshme që ai të ndihet i mbështetur dhe i dëgjuar në atë që po kalon. Është e e natyrshme të mos mund të menaxhosh gjithçka si prind, por duke i përkushtuar kohën e duhur për ta dëgjuar fëmijën tënd, bëhet e mundur t’i përballoni sfidat dhe të arrini të gjeni zgjidhje bashkarisht.

Të mendoni vazhdimisht, të planifikoni, të organizoni dhe të parashikoni detyra e përditshme për veten dhe për të tjerët (fëmijët, bashkëshortin, familjen) mund të jetë ngarkesë mbi shëndetin mendor. Kjo quhet gjithashtu ngarkesë mendore prindërore. Meqenëse është kështu, është e rëndësishme të  kujdesesh për mirëqenien tënde dhe të mos hezitosh të kërkosh ndihmë kur kjo bëhet e nevojshme. Kujdesi për veten nuk është egoizëm, ai të lejon të jesh në dispozicion për të tjerët duke përfshirë edhe për familjen tënde.

këtë faqe, ju mund të gjeni më shumë informata.

Emocionet

Emocionet janë në qendër të jetës tonë të përditshme dhe të shëndetit mendor. Megjithatë, ne ende flasim shumë pak për to, veçanërisht për emocionet që perceptohen negativisht. Të guxosh të flasësh për gjërat që ndjen, është thelbësore për të ruajtur mirëqenien, dhe atë, që nga mosha më e vogël,

Ndonjëherë mund të jetë e vështirë të identifikohen emocionet, si për prindërit ashtu edhe për fëmijët. Të jeni të vëmendshëm, të bëni pyetje gjatë momenteve të vështira dhe të bisedoni me dikend për mënyrat se si duhet të menaxhohen këto emocione, mund ta ndihmojnë çdokënd të ndihet më mirë. Si prind, nëse flisni për emocionet tuaja mund të shërbej si shembull dhe t’i inkurajojë ata për një dialog të hapur.

Mësimi i një gjuhe të re ose zbulimi dhe përshtatja e një kulture dhe e një vend të ri, mund të shkaktojë emocione pozitive ose negative. Është e rëndësishme të flasësh për këto ndryshime, emocionet që rezultojnë nga këto këmbime të ofrojnë zgjidhje se si duhet të ballafaqohesh me to. Është thelbësore ruajtja e një komunikimi të mirë dhe një shkëmbimi të hapur për të kaluar këto faza.

Ja një listë e emocioneve kryesore që mund të ndihen dhe një shpjegim i vogël për secilën prej tyre:

Dashuria

Është diçka e madhe, e thellë dhe magjike. Kur dashurojmë, ndihemi të mbushur me butësi dhe duam të buzëqeshim me jetën.

Gëzimi

Ky shfaqet kur diçka na shkakton kënaqësi. Ndiheni në disponim, ndihemi mirë. Duam të luajmë, këndojmë, qeshim ose vallëzojmë.

Zemërimi

Këtë e ndiejmë kur gjërat nuk shkojnë siç ishin planifikuar ose siç dëshirojmë. E ndjejmë si një valë të brendshme. Jemi të zemëruar dhe duam të bërtasim ose të godasim diçka për të nxjerrë tensionin.

Trishtimi

Ndihemi të vetmuar, në mjerim. Dëshirojmë të qajmë dhe të ngushëllohemi.

Përkujdesja

Shfaqet kur shqetësohemi për diçka ose dikë. Ndjejmë një lëmsh në stomak ose në fyt.

Lumturia

Shfaqet me një gjendje mirëqenieje. Jemi të kënaqur me atë që ndodh në jetën e përditshme ose në një moment të veçantë; ndihemi thellësisht të lumtur.

Qetësia

Ndihemi mirë dhe të qetë, si të ishim mbështjellë me një petk butësie dhe lehtësie dhe jeta duket e lehtë.

Ndrojtja

Është kur kemi një vështirësi për t’u shprehur përpara të tjerëve. Bazohet në frikën se çfarë mund të mendojnë të tjerët për ne. Ndihemi të shqetësuar, skuqemi.

Xhelozia

Shfaqet kur kemi ndjesinë se tjetri ka më shumë se ne. Na shkakton dhimbje brenda, si një shtrëngim në zemër.

Lodhja

Ndihemi të papërmbushur dhe na mungon energjia. Gjithçka duket e vështirë. Mund të shkaktojë nervozizëm ose nevojën për qetësi.

Pavendosmëria

Kemi vështirësi për të bërë një zgjedhje, hezitojmë dhe dyshojmë. Jemi në paqartësi dhe nuk dimë çfarë të bëjmë. Është një gjendje shumë e pakëndshme që mund të shkaktojë nervozizëm.

Frika

Është kur ndihemi në rrezik dhe mendojmë se diçka e keqe mund të ndodh. Ndihemi shumë të vegjël dhe të dobët.

Befasia

Është kur ndodh diçka e papritur. Mund të na gëzojë ose të na habisë. Hapim sytë shumë dhe goja na hapet.

Konfuzioni

Kur nuk dimë çfarë të bëjmë. Hezitojmë dhe jemi pak të humbur.

Neveritja

E shkakton ajo që ndjejmë si e neveritshme, na mbron nga gjërat që duken të këqija. Mund të bëjmë grimasa të mëdha.

Turpi

Është kur kemi thënë, bërë ose ndjerë diçka që nuk duhej dhe mendojmë se do të tallen me ne ose do të ndëshkohemi për këtë. Ndihemi të shqetësuar, të brishtë, Frika që të tjerët të tallen me ne dhe kemi dëshirë të fshihemi.

Krenaria

Është kur arrijmë diçka vet ose për herë të parë dhe jemi të kënaqur me atë që kemi bërë. Ndihemi plot forcë për të arritur gjërat të tjera.

Zhgënjimi

Është kur nuk arrijmë atë që dëshirojmë ose kur nuk mund të bëjmë diçka. Mund të sjellë zemërim.